SHOQATA BASHKESIA SHQIPTARO-KANADEZE

ALBANIAN-CANADIAN COMMUNITY ASSOCIATION

TORONTO

HISTORIA E SHOQATËS BASHKËSIA SHQIPTARO-KANADEZE TORONTO (SHBSHK) NË VITE

Përpjekjet për të krijuar Shoqatën Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze (SHBSHK) me qendër në Toronto e kanë fillimin shumë kohë më përpara se sa të themelohej kjo shoqatë.

11 Gushti 1989 shënon ditën e krijimit paraprak të kësaj shoqate mbarëshqiptare. Kjo arritje e rëndësishme e komunitetit shqiptar ishte fryt i punës së palodhur dhe të lavdërueshme të grupit nismëtar, i cili me përpjekje të mëdha arriti të mbledhë tok shumë bashkatdhetarë për një qëllim fisnik. SHBSHK-ja u regjistrua tek autoritetet kanadeze si organizatë komunitare pa përfitim në datën 4 Nëntor 1990 me emrin Albanian-Canadian Community Association of Toronto, që njihet edhe si data zyrtare e krijimit të saj. Kjo ditëlindje shihet qartë edhe në logon zyrtare të Shoqatës, të krijuar me mjeshtëri e plotkuptim qysh në atë kohë. Ajo simbolizon të gjithë shqiptarët e krejt provincave kanadeze të përfaqësuara secila nga një gjethe panje të bashkuar përreth shqipes dykrenare, mëmëdheut.
Komuniteti shqiptaro-kanadez falenderon përzemërsisht grupin nismëtar por edhe grupet e tjera drejtuese në vite për arritjen e këtij misioni kaq fisnik e patriotik në interes të të gjithë bashkëatdhetarëve me banim në Kanada.

Të njohim dhe nderojmë kryetarët e SHBSHK-së në këto 20 vite!


Z. MURAT HASHANI

Kryetar i SHBSHK-së në vitet 1989-1991
Z. Hashani ka lindur në Rubovc të Kosovës. Ka mbaruar Shkollën e Mesme Elektroteknike dhe ka kryer studimet në degën Inxhinjeri Elektrike në Universitetin e Prishtinës. Në vendlindje ka punuar si elektroteknik dhe në Kanada ka punuar si supervizor në një kompani elektrike. Më 1979 emigroi në Kanada dhe ka qënë ndër aktivistët kryesorë për krijimin e Shoqatës Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze (SHBSHK) me qendër në Toronto. Eshtë kryetari i parë i SHBSHK-së.


Z. HALIT HOXHA

Kryetar i SHBSHK-së në vitet 1991-1993, 1999-2001 dhe 2001-2003
Z. Hoxha ka lindur në Shtipe të Maqedonisë. Ka mbaruar shkollën e mesme dhe një vit kurs kontabiliteti. Në vitin 1964 emigroi në Kanada ku dhe themeloi biznesin e tij. I ka dhënë një kontribut të veçantë komunitetit shqiptaro-kanadez duke drejtuar SHBSHK-në për plot 6 vjet.


Z. TEFIK ABDULLAI

Kryetar i SHBSHK-së në vitet 1993-1996
Z. Abdullai ka lindur në Prespë të Maqedonisë. Ka kryer studimet e larta në Degën e Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës. Ka punuar si mësues në Maqedoni. Në vitin 1987 emigroi në Kanada dhe ka punuar si mësues i gjuhës shqipe dhe për Toronto District School Board (TDSB). Ka qënë edhe Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës në vitet 1991-1993.


Z. ENGJËLL CANE

Kryetar i SHBSHK-së në vitet 1996-1997
Z. Cane ka lindur në Bilisht të rrethit të Devollit, Shqipëri. Kreu shkollën e mesme në vitin 1965 në Gjimnazin e Lushnjes. Më 1983 emigroi në Kanada dhe në vitet 1984-1985 punoi si mësues i gjuhës shqipe për shqiptarët e Torontos. Që nga viti 1987 punon si kryeteknik në Toronto District School Board. Në vitin 1989 kontribon në themelimin e SHBSHK-së. Në vitin 1991 ka qenë një nga krijuesit dhe kryetar i organizatës "Canadian Albanian Relief Effort", e cila ka dërguar shumë ndihma në ato vite të vështira në Shqipëri.


Z. FERZI BEKIRI

Kryetar i SHBSHK-së në vitet 1997-1999
Z. Bekiri ka lindur në Gërçar të Prespës, Maqedoni. Në vitin 1974 emigroi në Kanada ku vazhdoi studimet për Administrim Biznesi. Ka punuar në biznesin e tij dhe është pronar i dy salloneve të bukurisë në Toronto me emrin "DBK Salon". Ka kontribuar vazhdimisht për mbarëvajtjen e komunitetin shqiptar në Toronto.


Z. MUHARREM XHAFERI

Kryetar i SHBSHK-së në vitet 2003-2005 dhe 2006-2008
Z. Xhaferi ka lindur në Picar të rrethit të Gjirokastrës, Shqipëri. Ka mbaruar Shkollën e Mesme Elektrike në Tiranë. Ka punuar si teknik elektriku në ushtri dhe ndërtim miniera Në vitin 2000 emigron bashkë me familjen e tij në Kanada. Z. Xhaferi vazhdon ti shërbejë komunitetit shqiptaro-kanadez në funksionin e Anëtarit të Nderit të SHBSHK-së.


Z. SAIMIR LOLJA, Ass. Prof. PhD

Kryetar i SHBSHK-së në vitet 2005-2006
Z. Lolja ka lindur në Elbasan, Shqipëri. U diplomua në Universitetin e Tiranës në Degën Kimi Industriale. Deri në vitin 2000 ka punuar si Asistent Profesor, Dega e Inxhinjerisë Kimike në Universitetin e Tiranës. Mban gradën shkencore Asistent Profesor dhe Doktor i Shkencave nga Universiteti i Tiranës. Ka emigruar në Kanada në vitin 2000. Ka kryer kërkime shkencore në Universitetin e Torontos dhe ka punuar si Profesor në Universitetin Ryerson dhe Toronto District School Board.


Z. PETRAQ PECI

Kryetar i SHBSHK-së në vitet 2008-2010
Z. Peci ka lindur në Tiranë, Shqipëri. Ka mbaruar studimet në Degën Inxhinjeri Elektrike në Universitetin e Tiranës më 1989. Ka punuar per kompani të ndryshme e OJQ ndërkombëtare si në Shqipëri edhe jashtë saj dhe si drejtor i shitjeve për HP në Tiranë. Ka emigruar në Kanada në vitin 2006. Aktualisht punon si agjent Real Estate Trebnet.


Znj. RUKI KONDAJ, Msc, PhD

Kryetare e SHBSHK-së në vitet 2010-2012
Znj. Kondaj ka lindur në Vlorë, Shqipëri. Ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë, Dega Farmaci në Universitetin e Tiranës. Për një kohë të gjatë ka punuar në sistemin farmaceutik dhe atë shëndetësor në Shqipëri, si dhe pedagoge e jashtme në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Mban gradën Master Ndërkombëtar për sistemin shëndetësor nga Universiteti Bocconi, Itali, dhe Doktore e Shkencave Farmaceutike nga Universiteti i Tiranës. Ka emigruar në Kanada në vitin 2000. Në vitin 2009 mori diplomën pasuniversitare për "Çështjet rregullatore të farmaceutikës", nga Instituti i Teknologjisë Farmaceutike në Toronto. Eshtë angazhuar me SHBSHK-në që nga viti 2008 si anëtare e kryesisë. Në qershor 2010 u zgjodh kryetare e kësaj Shoqate.


Më poshtë janë renditur emrat e kryetarëve të SHBSHK-së në një tabelë përmbledhëse:

Vitet Kryetar
1989-1991 Z. Murat Hashani
1991-1993 Z. Halit Hoxha
1993-1996 Z. Tefik Abdullai
1996-1997 Z. Engjëll Cane
1997-1999 Z. Fejzi Bekiri
1999-2001 Z. Halit Hoxha
2001-2003 Z. Halit Hoxha
2003-2005 Z. Muharrem Xhaferi
2005-2006 Dr. Saimir Lolja
2006-2008 Z. Muharrem Xhaferi
2008-2010 Z. Petraq Peci
2010-2012 Dr. Ruki Kondaj

Biznese Partnere