Apeli: Sillni
fëmijtë të mësojnë shqip
TORONTO- Mësuesit
shqiptarë të Torontos kanë shfrytëzuar numrin e
parë të gazetës Albanian Tribune, për t’i bërë
një apel publik komunitetit: “Sillni fëmijët të
mësojnë shqip! Ngrihuni mbi gjërat e rëndomta të
ditës, nga hallet e përditshme dhe dërgoni
fëmijtë të mësojnë gjuhën e gjyshërve të tyre”.
Këto fjalë të thotë Evgjenia, Astriti dhe
Rajmonda, tre mësues që japin mësim aktualisht
në Toronto. Janë me qindra e mijëra fëmijë
shqiptarë, që po harrojnë përditë e më shumë
gjuhën e tyre. Shqipëria e vogël, Kosova me
hallet e saj, Maqedonia e varfër...Ballkani i
mbushur me shqiptarë...është larg. Nuk mund t`i
ndihmojë në sakrificat për të mos humbur përditë
nga pak dhe pa kuptuar nga vetvetja. Shkëndijat
janë ndezur dhjetra vjet më parë. Duhet vetëm
zgjimi...Pak sekonda zgjuar nga ai gjumë
letargjik, ku ne të gjithë kemi rënë. “Zgjohuni,
prindër! Ka lindur një mëngjes i ri edhe për
shqiptarët”, të thonë sytë e mësuesve.
Një abetare pa
doganë.
Mjaftoi vetëm një abetare
e blerë me nxitim në Shqipëri, që ëndrra të
merrte udhë. Kishte punuar që prej 25 vjetësh në
profesionin e vështirë të mësueses, me atë rrogë
modeste, që nuk dilte as për bukën e gojës, por
me pasionin e madh dhe të palëkundur, për të
nxjerrë nga bankat e shkollës shqipe ata që do
të marrin në dorë të nesërmen. Nuk i tha askush.
Nuk kishte ndonjë udhëzim, që vinte nga
Ministria shqiptare e Arsimit. As ndonjë porosi
nga ambasada e Shqipërisë në Otava. Ishte
dashuria e vjetër që e gërricte mu në zemër.
Ishin ata qindra e qindra fëmijë emigrantësh, të
cilët kishin ardhur në një atdhe të ri. Kishin
zgjedhur një të ardhme të re, me shpresa dhe
sakrifica të reja, por që mediokriteti dhe
rutina e ditës ua bënte të pamundur të mësonin
shqip. Një abetare...., e futur thellë në
valixhe, si gjëja më e rrallë dhe më e çmuar. A
e vunë re doganierët në Rinas? Po punonjësit e
sigurisë në aeroportin e Torontos? Një libër
kontrabandë...Me ca gërma të çuditshme, si gërma
“ë”dhe “ç”....Një send më i çmuar se rakia apo
duhani i fortë. Një libër, me pak faqe, që nuk
binte fort në sy, por që do të ndizte si një
zjarr krenarinë e fëmijëve dhe prindërve
shqiptarë për atë ç’ka ata janë dhe do të
mbesin. E filloi vullnetarisht...Dje...vetëm me
dy nxënës. Sot paguhet nga shkolla për mësimin
që jep rregullisht në gjuhën amtare. Prindërit
sapo marrin vesh se ekzistojnë klasat e mësimit
të gjuhës shqipe në Toronto, marrin në telefon.
Shumë herë atyre u është dashur të presin
biletën e avionit për në Shqipëri, që fëmijët të
mos harronin gjuhën e të parëve të vet.
Kanadaja, ky vend i mrekullueshëm dhe i
mundësive të mëdha tani i jep rastin kujtdo që
guxon të mendojë për diçka, që ndoshta atje në
Ballkanin e largët është diçka ireale, gati
përtej të pamundurës. Mësuesit e gjuhës shqipe
janë disa, por këtë here ne biseduam me zonjën
Rajmonda Demaj. “E kanë marrë vesh edhe në
Australinë e largët. Më kanë marrë në telefon
edhe mua? kaq mjafton që të jem e lumtur,” thotë
mësuesja nga Shqipëria. Rajmonda është nga të
parat mësuese, që ka hapur klasën shqipe. Ajo ka
edhe numrin më të madh të nxënësve në klasën e
saj. Sekretet e punës së saj janë të thjeshta.
Një konkurs i vogël në orën e mësimit dhe një
shpërblim, i siguruar, po nga vetë mësuesja e
apasionuar për nxënësin më të mirë. Kështu ora e
mësimit është bërë më tërheqëse dhe nxënësit e
vegjël, më të dedikuar.
“Në grupin, ku
unë jap mësim kemi të regjistruar tridhjetë e
pesë nxënës, nga të cilët vijnë rregullisht në
shkollë njëzetë e tre fëmijë”, tha Demaj. Po në
Chester vazhdohet mësimi në një klasë tjetër
shqipe, me mësues zotin Astrit Demaliaj. Në
grupin e tij janë të regjistruar tashmë
gjashtëmbëdhjetë nxënës. Kolegji i mësuesve të
Ontarios tashmë ka aprovuar dy vende të reja
pune për mësues të gjuhës shqipe. Fëmijtë
aktualisht shkojnë në shkollë dy herë në javë,
çdo të martë dhe të enjte, nga ora 15:30 deri në
17:00. Moshat e nxënësve variojnë nga katër deri
në shtatë vjeç për grupin e parë, dhe tetë deri
në dymbëdhjetë vjeç për grupin e dytë.
Abetaret m’i sollën
njerëzit e shtëpisë
Evgjeni
Xhakollit, ose “Nika”, siç e thërrasin ndryshe
kolegët e tjerë mësues, asnjëherë nuk i besohej,
se një ditë do të shihte një vend pune si
mësuese e gjuhës shqipe, të afishuar në murin e
një shkolle në Kanada. I dukej si një
ëndërr...Si? Mësuese e gjuhës shqipe në Toronto?
E lexoi disa herë lajmërimin... Mori në telefon
miqtë...Afro tridhjetë e pesë vjet më parë
arvanitasit e ardhur nga Greqia e mësonin
shqipen në shtëpi. Kurset e para të shqipes në
Toronto janë hapur pikërisht brenda shtëpive.
Por që të hapej një vend i rregullt pune nga
vetë shteti kanadez, këtë askush nga të
tetëmbëdhjetë konkuruesit shqiptarë nuk e kishte
parashikuar. Kur e pyet Evgjeninë, nëse ka patur
ndonjë ndihmë nga Ministria e Arsimit apo nga
Ambasada, ajo të përgjigjet thjesht dhe ëmbël:
“Abetaret m’i sollën nga Shqipëria njerëzit e
shtëpisë”. Vetë prindërit, sapo merrnin vesh se
ishte hapur një klasë në gjuhën shqipe ia jepnin
lajmin njëri-tjetrit me gëzim. “Klasën e parë në
Chester Public School e drejtoi Astrit Demaliaj.
Brenda një kohe të shkurtër nxënësit u shtuan
shumë. Kështu që u hap edhe një klasë tjetër”,-
rrëfen për gazetën mësuesja Xhakolli. Në klasën
e drejtuar nga ajo vijnë rregullisht në shkollë
njëzetë e katër fëmijë te moshave të ndryshme,
të ndarë në katër nivele. Evgjenia thotë se
abetaret e vjetra ishin më të mira, ndërsa ato
të rejat janë paksa të vështira dhe të
ngarkuara. Astrit Demaliaj, mësues në një nga
klasat e Chesterit, ka në grupin e
tij
gjashtëmbëdhjetë nxënës. “E fillova me
një abetare, që ma dërgoi vëllai. Më vonë
sigurova librin “Gjuha shqipe për të huajt”, që
është një libër shumë i mirë, “-thotë Astriti.
Sekush ka një histori të vockël për të treguar.
Një detaj më shumë nga kjo nismë kaq e bukur, që
tashmë është bërë realitet. Zoti Demaliaj dhe
mësuesit e tjerë nuk ngurrojnë të nxjerrin edhe
problemet që has shkolla shqipe në Kanada.
“Komuniteti duhet të na ndihmojë. Mjaft prindër
nuk i sjellin dot fëmijtë, ngaqë banojnë larg.
Vetë disa nga prindërit nuk paguajnë për
materialet didaktike, pasi shumica e tyre nuk e
di se duhet paguar një njëzetë dollarësh për
librat kur fëmija regjistrohet”. I pyetur nëse
ka kontaktuar ndonjëherë me ambasadën shqiptare
në Kanada, Demaliaj përgjigjet se është pritur
përzemërsisht, por për çështje personale.
Mësuesit shqiptarë janë që të gjithë të një
mendjeje se duhet bërë më shumë nga prindërit
dhe komuniteti, që fëmijtë shqiptarë të mos e
harrojnë gjuhën e nënës.
Statusi i gjuhës shqipe, ende i
pazgjidhur
Me gjithë hapjen e
klasave të gjuhës shqipe, mësimdhënia në shqip
në Toronto përballet edhe me probleme sociale
dhe ligjore. Dokumenti i lëshuar pas përfundimit
të shkollës, nuk njihet si diplomë, por thjesht
si një dëftesë. Gjuha shqipe ende nuk është
klasifikuar si një gjuhë e dytë në shkollat
ndërkombëtare të Torontos, status të cilën e
kanë mjaft gjuhë të tjera, si greqishtja,
serbishtja, italishtja, frëngjishtja, etj. Njëri
nga drejtuesit e Bordit të mësuesve të Ontarios,
zoti Norman, me origjinë shqiptare, u ka
premtuar mësuesve shqiptarë që “gjuha shqipe së
shpejti do të bëhet një gjuhë e dytë në shkollat
ndërkombëtare, pra do të ketë të
njëjtin
status, që gëzojnë edhe gjuhët e tjera”. Ndër
arsyet teknike, që vënë re mesuesit është
arritja e një statusi të barabartë me gjuhët e
tjera, por për të fituar statusin duhet të hapen
gjithsej dhjetë klasa. Nëse ky numër arrihet në
të ardhmen, atëherë shumë shpejt gjuha shqipe do
të njihet si gjuhë e dytë në shkollat e mësimit
të gjuhëve ndërkombetare në të gjithë Kanadanë.
Në klasat shqipe, megjithë problemet e vëna në
dukje, ka edhe nxënës me kombësi të huaj, që
kanë dëshirë të mësojnë shqip. Janë vërtetuar dy
raste: një fëmijë nga Irani, i cili pohon se ka
patur njërin nga gjyshërit shqiptar dhe një
fëmijë “maqedonas”. Kombësia e fëmijës
“maqedonas” ende nuk është e qartë, pasi ky
fëmijë nuk flet fare shqip dhe ndoshta për këtë
arsye prindërit kanë vendosur që ta dërgojnë
fëmijën në këtë klasë. Klasat e gjuhëve të tjera
kanë gjithashtu problemet e tyre.
Klasat e para shqipe, tridhjetë e
pesë vjet më parë
Klasa e parë shqipe është hapur
afro tridhjetë e pesë vjet me parë në xhaminë
shqiptare pranë kryqëzimit Keele dhe Dundas.
Kanë qenë disa shqiptarë nga zonat shqiptare në
Maqedoni që kanë organizuar mësimin e parë shqip
në ndërtesën e mbiquajtur “Shpia e Shqiptarit”.
Zoti Shefqet, pronari i restorantit “Good
Morning,Toronto” në Danforth, ka dërguar vajzën
e tij në klasën e parë shqipe. Sot
këtë
traditë të bukur e ndjek mbesa e tij, e cila
vazhdon mësimin në shqip në klasën e drejtuar
nga mësuesja nga Shqipëria, zonja Demaj. “Për të
qenë më afër realitetit, duhet të pohojmë se të
parët fare kanë qenë arvanitasit e Greqisë. Ata
e bënin mësimin në shqip me abetare në shtëpitë
e tyre. Ne kemi takuar arvanitas që e kanë bëre
mësimin në shqip dhjetra vjet më parë me abetare
aq të bukura, të cilat nuk i kemi parë as në
Shqipëri”- të thonë mësuesit e gjuhës shqipe në
Toronto.
Vetëm
njëqind nxënës? Po qindra të tjerë?
Për të hapur një klasë shqipe,
duhen të paktën njëzetë e dy nxënës. Nëse ky
numër sigurohet qoftë edhe me iniciativë të
ndërmarrë privatisht, atëherë bordet drejtuese
te shkollave të japin të drejtën për të dhënë
mësim. Kandidati për mësues duhet të ketë punuar
më parë si mësues në vendin e tij, si dhe të
ketë një diplomë të mësuesisë. Mësuesit
shqiptarë pohojnë se gatishmëria nga bordet
drejtuese te shkollave të mësimit të gjuhëve
ndërkombëtare është e plotë. Duhet vetëm
përkushtim dhe durim, për të hartuar listat me
emrat e nxënësve, që do të mësojnë shqip. Pas
plotësimit të numrit shpallet edhe vendi bosh
për punë si mësues i gjuhës shqipe. Një kriter
kaq dashamirës për emigrantët do të bëjë që në
të ardhmen të mos kemi vetëm njëqind nxënës, por
dhjetra e qindra të ulur në bankat e shkollës.
“Nuk ka vend për optimizëm. Ky është vetëm
fillimi“, të thonë mësuesit e gjuhës shqipe.
Përparim Kapllani
Albanian
TRIBUNE
10 prill
2004
|